Mashtruan duke kërkuar para për të miturit, arrestohet 24-vjeçarja në Tiranë, në kërkim dhe dy të rinjtë e tjerë
Një vajzë 24-vjeçare është arrestuar dhe dy djem të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se këto të fundit, mashtronin njerëz të tjerë përmes kompjuterit duke kërkuar ndihma për të mitur që pretendohej se ishin të sëmurë ose në gjendje të rëndë ekonomike.
Policia bën me dije se personat janë arrestuar në vijim të operacionit të joduar “Kameleonët” të zhvilluar 2 ditë më parë. Ndërkohë që në pranga ka rënë A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë. Në kërkim janë shpallur: A. M., 34 vjeç dhe S. N., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas policisë, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.
Tërheqja e shtetasve të interesuar bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal. Këta shtetas, për një periudhë disamujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, etj. Aktualisht po punohet me ritme të shpejta për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.