"Më kujton filmin 'Mëngjese lufte'", Kryemadhi: Rama kërcënon me jetë qytetarët për vaksinën, i metë nga trutë ose kriminel

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, akuzoi kryeministrin Rama se po përdor fushatën e vaksinimit në mënyrë kriminale për fushatë zgjedhore.

E ftuar në "Tempora" në Rtv Ora, Kryemadhi tha se përdorimi i vaksinës është shpërdorim detyre i Kryeministrit dhe se do ta ndjekin ligjërisht këtë çështje.

Madje ajo shkoi deri aty sa tha se kryesocialisti po kërcënon qytetarët me vdekje, që nëse nuk më jepni voton nuk u bëj vaksinën anti-Covid.

Kryemadhi: Më vjen për të qeshur me nivelin fillestar, i një fëmijë kopshti parashkollor. Sa herë dëgjoj deklaratat e tij më kujtohet filmi "Mëngjese lufte", që ishte ai çuni i beut që thoshte topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë. Edhe ky thotë vaksinat i kam sjellë unë dhe do ti bëj unë, edhe infermier mund të bëhet ai.

 Në një vend normal, po të kishte një sistem drejtësie jo vetëm do të ishte shkarkuar automatikisht. Është shpërdorim detyre dhe shkelje e Kushtetutës. Është një kryeministër në fushatë zgjedhore, e mbani mend në 2017 që i tha policisë së shtetit hidhni kapelet dhe dilni e mblidhni vota për PS. Edhe në këtë rast është shpërdorim detyre i postit të kryeministrit, në 2017 ishte me policinë e shtetit ndërsa tani është në situatën e pandemisë dhe në kuadrin e një fatkeqësie.

Ky njeri përveçse shpërdoron detyrën, ushtron shantazh, intimidon, presionon dhe kërcënon qytetarët me vaksinën, është njëlloj si ligji për agjitacion dhe propagandë. Ky thotë nëse nuk votoni PS do t'ju lë të vdisni nga Covid. Deri sot ka fshehur 9 mijë vdekje dhe asnjë institucion i drejtësisë nuk merret me 9 mijë vdekjet që ka fshehur Ministria e Shëndetësisë me në krye infermierin Edi Rama.

Më pas vazhdojmë me gjithë procesin e pandemisë, ju kujtohet rasti i Vlorës me pacientin e vdekur 70 ditë në morg dhe nuk i jepej trupi familjes së tij. Ishin dackat e doktoreshës që do të rrihte të bijën e tij. Zotëria ka kërcënuar me jetë qytetarët shqiptarë.

Është shpërdorim detyre flagrante dhe kërcënim me vdekje. Kërcënon me marrjen e jetës së qytetarëve shqiptarë. Kush është ky që kërcënon nëse nuk më votoni mua nuk do tju bëj vaksinën.

Në çdo vend të botës do të kishin vënë prangat. Një njeri i tillë ose është i metë nga trutë e kokës, ose është kriminel. Do ta ndjekim në mënyrë ligjore. Prokuroria do ti ketë duart e lira pas 25 prillit, mos pretendoni që prokurorët e Ulsi Manjës ta marrin të pandehur.

Pas 25 prillit ata do të ndërrojnë tabelën, do të thonë nuk na ka lënë Edi Rama. Nuk mendoj se do të jenë të besueshëm këta njerëz por mendoj që do të rikthehen në atë reformë drejtësie që kanë votuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duke u gdhirë 22 korriku i 2016.