Tempora - Profil i Monika Kryemadhit, kryetares së LSI-së
E lindur në Dibër, Monika Kryemadhi është marrë qysh herët me politikë. Më rrëzimin e regjimit komunist, zonja Kryemadhi që në moshën 17-vjeçare vendosi të angazhohej politikisht pranë Partisë Socialistë, ku ajo ishte dhe themeluese e Forumit Rinor Socialist.
Në janar të vitit 1992 u zgjodh anëtare e Kryesisë dhe në maj të po atij viti, ajo u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e FRESSH-it ne Kongresin e I dhe II.
Politikën e kishte në deje, ndaj nuk ju nda për asnjë moment angazhimit të saj, ndaj Monika Kryemadhi mbajti funksionin Presidente e FRESSH deri në prill të vitit 2002.
Monika ishte anëtare e Partisë Socialiste nga dhjetori 1991 deri në shtator të vitit 2004, ku arriti të kishte dhe mandatin e deputetes si edhe u zgjodh dy herë për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Epokën e saj në Partinë Socialiste zonja Kryemadhi e mbylli në vitin 2004, ku më pas ajo ishte dhe një nga bashkëthemeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
Gjatë periudhës 2005-2013 ka mbajtur pozicionin e Sekretares Organizative në Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në 2017, kohë kur Ilir Meta u betua President i Republikës, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi e refuzoi postin e zonjës së parë duke zgjedhur që të vijojë betejën parlamentare.
Ndërkohë më 5 korrik 2017, Kryemadhi u zgjodh kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke shënjuar kështu histori në vendin tonë si e para grua në drejtimin e një nga 3 forcat më të mëdha politike.
Zonja Kryemadhi është diplomuar në degën Bio-Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka kryer një sërë studimesh master brenda dhe jashtë vendit ndërsa mban edhe titullin Doktor.