DASH, kritika Shqipërisë: Korrupsioni i përhapur në qeverisje, zyrtarët nuk dënohen

Departamenti Amerikan i Shtetit ka adresuar kritika të forta për Shqipërinë në raportin për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2020 i cili u publikua të martën. Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni i përhapur kudo në qeverisje janë disa nga fenomenet shqetësuese që evidentohen në dokument. Raporti evidenton edhe vrasjen e Klodian Rashës dhe presionet ndaj medias si dhe faktin se organet e reja të drejtësisë deri tani kanë goditur vetëm raste korrupsioni në nivel të ulët.

Raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2020 kritikon ashpër shqipërinë duke theksuar se korrupsioni i lartë dhe mosndëshkimi mbeten një problem serioz për vendin.

 “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale”, thuhet në raport.

Dokumenti i prezantuar të martën ngaSekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, përmend ngjarjen e 8 dhjetorit në Tiranë, kur Policia e Shtetit vrau me armë zjarri Klodian Rashën, i cili ishte në shkelje të orës policore për Covid-19.

Mosndëshkimi për veprimet e jashtëligjshme të policisë, thuhet në raport, mbetet një problem.

Në lidhje me lirinë e shprehjes, sipas DASH, gjatë vitit 2020 pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin tek media me mënyra të papërshtatshme.

"Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon që individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, parlamentarë, në qeveri apo në pozicione shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive", thuhet në raport.

Sipas tij, “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Shembujt përfshijnë një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge.”

Duke analizuar luftën ndaj korrupsionit dhe ngritjen e organeve të reja të drejtësisë si SPAK, raporti i DASH evidenton përparim të kufizuar në këtë drejtim.

“Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e çështjeve të nivelit të ulët të korrupsionit, përfshirë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, ndjekja penale e të dyshuarve të nivelit më të lartë mbeti e rrallë për shkak të frikës së hetuesve nga ndëshkimi, mungesës së burimeve dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit”, thuhet në pjesën e dokumentit për Shqipërinë.