KPK shkarkon gjyqtarin Bari Shyti
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi këtë të enjte, 25 mars, nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, Bahi Shyti.
Vendimi argumentohet për deklarim kontradiktor për blerjen e apartamenteve,si dhe burimi i të ardhurave i pajustifikueshëm.
Më herët gjyqtari i Apelit Administrativ të Tiranës, Bari Shyti doli përpara komisionit të vettingut për deklarimin e pasurisë, pastërtia e figurës dhe integriteti profesional.
Në raportin e tij Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar disa problematika në lidhje me burimin e të ardhurave për blerjen e dy apartamenteve në Durrës dhe në Tiranë.
Bari Shyti dhe i vëllai Ismail Shyti kanë blerë përgjysmë një apartament, por më pas ajo ka kaluar 100 përqind në pronësi të gjyqtarit.
Sipas komisionit, ka deklarime kontradiktore nga ana e Bari Shytit përsa i përket pagesave ndaj të vëllait për këtë apartament.
Si u prit me protesta Bari Shyti : Relacioni për Bahri Shytin, KPK vë me “shpatulla pas murit” magjistratin e dyshuar për afera korruptive
Një tjetër pikë ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal është edhe pastërtia e figurës ku ndaj tij janë regjistruar 20 denoncime nga publiku për korrupsion dhe fshehje pasurie, por këto janë ende në proces verifikimi.
Së fundmi, është konstatuar se gjyqtari ka marrë pjesë në 3 çështje gjyqësore me konflikt interesi.
Bari Shyti, është gjyqtari që rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile, e cila kundërshtonte vendimin e Bashkisë së Tiranës dhe Entit Rregullator të Furnizimit me ujë, për ndryshimin e tarifave mujore të ujit të pijshëm për banorët e Tiranës.
Shyti, hyn në kategorinë e gjyqtarëve të pasur, pasi ka të dhëna të arsyeshme, se qëndron prapa një kompanie kromi që vepron në Bulqizë dhe një hidroçentrali “HEC Shytaj” që ndodhet në Bulqizë.
Kjo kompani kromi mban emrin “ERIM SH.P.K”, dhe sipas dokumenteve zotërohet nga 100 për qind të aksioneve, nga vëllai i gjyqtarit administrativ të Apelit, shtetasi Islam Shyti.
Në fakt emri i gjyqtarit nuk del në asnjë dokument si pronar i kësaj kompanie.
Por në një deklaratë pasurie të vitit 2008, ai ka pranuar se ka lidhje me shitjen e kromit nga kjo kompani.
“Në vitin 2008 gjyqtari Shyti deklaron se ka përfituar 21.000 dollarë nga mbledhja dhe shitja e 60 ton mineral krom në periudhën maj – qershor 2008 në stokun e kompanisë “ERIM”…”-.
Ndër të tjera në këtë dokument të siguruar nga “Ora News”, ka dyshime të forta se gjyqtari Bari Shyti, është aksioner në ndërtimin e hidroçentralit “HEC Shytaj” në Bulqizë.”.
Njëherësh Bari Shyti, njihet si gjyqtar që i shërben politikës dhe segmenteve të caktuara të bashkisë së Tiranës dhe më konkretisht kryebashkiakut Erion Veliaj.