Fjolla Morina dënohet me 6 vite burg, avokatja: Pistoleta ishte aksidentalisht në çantë
Gjykata e Kukësit ka dënuar me 6 vite burgim këngëtaren nga Kosova Fjolla Morina teksa ajo po feston muajin e mjaltit pas martesës në arrati.
34 vjeçarja është shpallur fajtore nga Shkalla e Parë për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve dhe armëmbajtje pa leje.
Avokatja paralajmëroi ankimim.
“Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ka pasur vetëm një armë, e ka pasur pa dashje. Ka qenë aksidentalisht në çantën e saj,” u shpreh avokatja Guska.
Rasti i Fjolla Morinës i vuri një njollë të zezë drejtësisë në Kukës.
Këngëtarja po gjykohej në masën e sigurisë arrest shtëpie, por më 20 Janar 2021, ajo u largua nga banesa dhe më pas arriti të thyejë edhe kufijtë duke dalë nga vendi.
Ndërsa policia e Kukësit e kishte shpallur në kërkim e Gjykata e Kukësit vendosi me letra ta kthejë në qeli, ajo i sfidonte autoritetet me postime në rrjetet sociale nga hotele luksoze në Shqipëri e disa vende të botës.
Disa ditë më parë, ajo u martua në Maldive me biznesmenin Besnik Syla, i cili bashkë me një person tjetër u arrestuan bashkë me Fjolla Morinën më 19 Shtator 2020 në Doganën e Morinës, pasi këngëtares iu gjetën dy pistoleta në çantë.