22 vjet nga bombardimet e NATO-s mbi Serbi, rrëfimi i luftëtarit të UÇK: Thaçi mori Shtabin nga Gjermania...
Ish luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, në një intervistë për Ora News ka kujtuar 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbi dhe forcat e saj ushtarake.
Teksa u ndal te arsyeja që e shtyhu ti bashkohej luftës, Goxhaj citoi nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
“Nisma jonë ishte detyrim kushtetues për çdo ushtarak shqiptar. Pasi në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet se Shqipëria mbronj shqiptarët jashtë Atdheut, kudo ndodhen ata. Shqiptarët në Kosovë u gjendën në negocid dhe ishte detyra jonë ta zbatonim këtë vendim kushtetues, pavarësisht se sa e zbatuan.

Sa shqiptarë të Shqipërisë iu bashkuan UÇK-së?
Dritan Goxhaj: Është një kënaqësi por edhe një fatkeqësi sepse numri i shqiptarëve nga Shqipëria që iu bashkuan UÇK-së është 140 veta, prej këtyre 35 janë dëshmorë. Fatkeqësia më e madhe është, Shqipëria kishte 20 mijë oficerë dhe vetëm 10 iu bashkëngjitën UÇK-së. Kjo është një fatkeqësi e madhe.
Keni qenë në front kur u mor vendimi se NATO do të ndërhynte?
Dritan Goxhaj: Pjesa më e madhe e UÇK nuk e ka patur idenë se kur do të ndërhynte NATO. Dhe këtë nuk e ka patur as Shtabi i Përgjithshëm. Më datë 23 mars, në mbrëmje, rreth orës 5 të darkës, Hashim Thaçi që ndodhej në Gjermani në atë kohë, merr në telefon Shtabin e Përgjithshëm dhe shefin e Shtabit dhe i thotë “NATO ka vendosur të bombardojë. Do ju marrin nga Kukësi e do ju thonë si do bëhet bombardimi”. Kaq dhe e mbyll telefonin. Pas një kohe të shkurtër bie telefoni i Shtabit të Përgjithshëm nga Kukësi dhe në telefon ishte gjenerali Kudusi Lame dhe thotë “do flisni me një person”. Personi që paraqitej ishte shefi i Shërbimit Informativ për qarkun e Kukësit, Ramë Guca. Në atë kohë ai flet dhe njofton që është marrë vendimi për bombardimin e Serbisë. Dhe ka dhënë të gjitha numrat e telefonave dhe fakseve ku dhe si do të ndodhte bombardimi. UÇK kishte për detyrë të mblidhte informacione dhe të jepte të gjitha informacionet e detajuara të vendqëndrimeve të forcave serbe, të lëvizjeve të tyre, të pozicionit të tyre në Shtabin e NATO-s në Kumanovë dhe Shtabin e NATO-s në Bruksel. Pra i kishte të dyja numrat.
Si u prit vendimi te ushtarët?
Dritan Goxhaj: Vendimi u kërkua të mbahej sekret derisa të niste bombardimi në datë 24 mars, duke u gdhirë 24. Po të tregon një rast si është pritur. Shtabi i Përgjithshëm vendosi në 12 të natës të mbledhë kompaninë e Shtabit të Përgjithshëm, që ruante Shtabin, gati 100 ushtarë. Mblidhen në mënyrë të rregullt, pa zhurmë sepse ishte natë dhe shefi i Shtabit u jep lajmin që forcat e NATO-s kanë vendosur të bombardojnë forcat serbe dhe të rreshtohen krah nesh sepse këtë luftë e kemi të fituar. Ushtarët, pavarësisht se ishte natë dhe ishte dhënë urdhër të mos bëhej zhurmë, shpërthejnë në brohoritje. Kjo besoj do të mjaftojë për të treguar se si u prit.
Pastaj Shtabi ka lëshuar një urdhër të gjitha Zonave Operative të mbledhin informacione, t’ja kalojnë Shtabit të Përgjithshëm dhe ndalonte komunikimin e çdo Zone Operative, e çdo brigade e çdo njësie taktike në terren të komunikonte drejtpërdrejtë me forcat e NATO-s. Të gjitha të dhënat do të kalonin vetëm nga Shtabi i Përgjithshëm.
Sulmet e NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë, filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin.
Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësueit të atëherëshëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi t'i tërheqë trupat nga Kosova.
Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 - 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe.
Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro, ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.
Më 12 qershor 1999 në Kosovë u futën trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende - 30.000 nga vendet e NATO-s.
Intervistoi në studio Sebastian Zonja, përgatiti për web Aurel Rakipllari