Dy javët e para të fushatës elektorale pa mitingje, nuk ndryshojnë masat kufizuese
Edhe dy javë të tjera pas orës 20:00 kushdo që do të kërkojë të dalë nga shtëpia duhet të marrë leje në polici. Një ditë para nisjes së fushatës elektorale, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat, duke kërkuar të ndalohet grumbullimet me mbi 10 persona.
"Incidenca dy javore për periudhën 10-23 mars ka një zbritje nga 418 në 268 për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i monstrës ka rënë dhe mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur."
Pavarësisht këtyre shifrave, Komiteti Teknik i Ekspertëve mbetet ende me rezerva për të dhënë tone pozitive mbi pandeminë. Ndaj për këtë arsye të mërkurën u vendos mbajtja në fuqi e masave ekzistuese.
"Do të vazhdojë të mbetet ora policore nga 20:00 e mbrëmjes në 06:00 të mëngjesit, shkollat do të vazhdojnë të mbeten online, fluturimet me Britaninë e Madhe edhe për këtë periudhë dy javore do të mbeten të pezulluara dhe njëkohësisht vazhdon të mbetet në fuqi edhe për dy javë ndalimi i grumbullimeve me më shumë se 10 veta."
Vendimi vjen vetëm një ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, kërkoi nga qytetarët zbatimin e masave.
"Vendosja e maskave në ambjentet ku ato janë të rekomanduara, respektimi i distancimit fizik, i distancimit social, ndalimi i grumbullimeve për çfarëdolloj arsyeje."
Me uljen e infektimeve dhe në spitale apo në thirrje drejt urgjencave ka pasur rënie të kërkesave.
"Ka pasur një ulje të numrit të thirrjeve duke filluar nga data 5 mars deri para dy ditësh, rreth 1500 thirrje. Dy ditët e fundit kemi një rritje të vogël të këtyre numrave. Ka vazhduar dhe numri i misioneve nga 500-450."
Prej nisjes së pandemisë në vendin tonë janë 121 mijë të infektuar, nga të cilët e kanë kaluar Covid 19, 86 mijë pacientë.
Lexo dhe: Rama niset në Turqi për kontratën