SHBA i dhuron FA-ve 29 mjete të blinduara, ambasadorja Kim: Shqipëria është gjithmonë krah nesh, edhe në misione të rrezikshme
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, flet për stërvitjen “Defender 21”, që do të ndodhë në Shqipëri këtë verë, në një aktivitet për dhurimin e 29 Automjeteve Ushtarake të Lëvizshmërisë së Lartë për Forcat e Armatosura Shqiptare, të zhvilluar ditën e sotme.
Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Kim është shprehur se “këto automjete të reja do të përmirësojnë menjëherë aftësitë e forcave tokësore shqiptare në një moment kritik”.
Përmes një postimi në facebook Ambasada Amerikane ka bërë të ditur se ky dhurim është vendimtar për përgatitjet e fundit për ngjarjen historike Stërvitja “Defender 21.”
"Jemi këtu për të festuar dorëzimin e 29 Automjeteve Ushtarake të Lëvizshmërisë së Lartë, ose “Humvee”, për Forcat e Armatosura Shqiptare. Këto automjete të reja do të përmirësojnë menjëherë aftësitë e forcave tokësore shqiptare në një moment kritik... Ky dhurim është gjithashtu vendimtar, sepse jemi në përgatitjet e fundit për një ngjarje historike – Stërvitja “Defender 21”.
“Defender 21” është një stërvitje ushtarake shumëkombëshe, e cila do të ndodhë në Shqipëri këtë verë dhe Shqipëria është zgjedhur për të mikpritur një aspekt të rëndësishëm të stërvitjes. Kjo do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake ndonjëherë në Evropën Juglindore dhe sigurisht do të tregojë rëndësinë e Shqipërisë në rajon. Në mënyrë të veçantë, presim me kënaqësi t’i shohim këto automjete të marrin pjesë në këtë ngjarje premierë trajnimi."