Gjermania paralajmëron rritje të numrit të infeksioneve, Spahn: Evropa nuk ka vaksina të mjaftueshme
Rastet e koronavirusit po rriten me shpejtësi në Gjermani, paralajmërojnë zyrtarët, ndërsa Evropa kontinentale përgatitet për një valë të tretë të infeksioneve.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ka të ngjarë që vendi do të duhet tani të zbatojë një "frenim emergjence" dhe të vendosë përsëri masa bllokimi.
Franca, Polonia dhe kombet e tjera po rivendosin kufizime.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë se Evropës i mungojnë vaksinat e nevojshme për të zvogëluar ndjeshëm rastet.
"Ne duhet të jemi të sinqertë në lidhje me situatën - në Evropë nuk kemi vaksina të mjaftueshme për të ndaluar një valë të tretë vetëm përmes vaksinimeve," u tha ai gazetarëve.
Përhapja e vaksinave në të gjithë BE është penguar nga shpërndarjet e vonuara, si dhe pezullimi në disa vende i përdorimit të vaksinës Oxford-AstraZeneca Covid-19, për shkak të frikës nga efektet anësore të mundshme.
Si është situata në Gjermani?
Rritja e rasteve të raportuara në Gjermani thuhet se vjen për shkak të shkeljes të rregullave, sidomos nga të rinjtë.
"Shifrat po rriten, pjesa e mutacioneve është e madhe dhe ka disa sfida mjaft sfiduese para ne," tha Z.Spahn.
Zonja Merkel tha se shpresonte që masat e bllokimit mos të rivendoseshin më, por fatkeqësisht kjo duket e pashmangshme,.
Ministrat janë veçanërisht të shqetësuar për pushimet e Pashkëve. Ata po i nxisin njerëzit të mos udhëtojnë dhe të kufizojnë takimet brenda familjes.
Vetëm 8% e popullsisë së Gjermanisë deri më tani ka marrë dozën e parë të vaksinës, megjithatë qeveria më 19 mars rifilloi vaksinimin me AstraZeneca, raporton BBC.