Itali, kurba pandemike në rritje, 13 nga 21 rajone në situatë kritike
Kurba pandemike në Itali vazhdon të regjistroj një rritje të rasteve pozitive e të numrit të viktimave Covid.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka publikuar raportin e fundit javor sipas të cilit në periudhën kohore 11-18 mars 2021 në Itali janë regjistruar 264 të infektuar në çdo 100 mijë banorë.
Shfaqet dukshëm një rritje në krahasim me një javë më parë ku regjistroheshin 222 të infektuar në çdo 100 mijë banorë.
Shqetësuese është dhe situata në repartet e terapisë intensive ku numri i shtretërve të zënë nga pacientët Covid ka arritur në nivelin e koeficienti kritik me 36% të numrit të përgjithshëm të tyre.
13 rajone nga 21 që ka Italia, shfaqin situatë kritike në menaxhimin e strukturave mjekësore për të infektuarit nga pandemia.
Niveli i infektimit në të gjithë territorin italianë është në koeficientin RT 1.16.
Pritet që së shpejti autoritetet shëndetësore italiane e Ministria e Shëndetësisë të firmosë urdhëresën për rinisjen e vaksinimit me vaksinën AstaZeneca, që sipas vendimit të marrë dje nga Agjencia Evropiane e Barnave, është një vaksinë e sigurt e rastet e trombozës të verifikuara në disa pacientë nuk kanë prova shkencore se janë rrjedhë e vaksinës e janë të pakonsiderueshme me benefitet e me numrin e lartë të personave që janë vaksinuar nga kjo vaksinë pa pasur asnjë efekt negativ.
Deri më sot në Itali janë mbi 7 milionë e 300 mijë persona që kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti Covid e mbi 2 milionë e 300 mijë që kanë marrë të dy dozat e saj.
Në 24 orët e fundit Italia ka regjistruar 423 viktima e mbi 24 mijë të infektuar.
Rreth orës 17.00 të ditës së sotme pritet me mjaft interes konferenca e shtypit e kryeministrit Mario Draghi, e para e mbajtur pas marrjes së funksionit si kreu i qeverisë së re italiane me fokus masat ndihmuese në përballimin e situatës ekonomiko sociale të vendit gjatë kësaj faze të tretë të pandemisë.