Çmimet "Oscar" nuk do mbahen virtualisht, akademia: Të nominuarit do jenë prezentë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar” nuk do të mbahet virtualisht, ndryshe nga “Golden Globes” dhe “Emmy” të këtij viti ku fituesit pranuan çmimet e tyre përmes Zoom-it, për shkak të masave të sigurisë Covid-19. Në një letër drejtuar të nominuarve, producentët e shfaqjes thanë se ata kishin bërë shumë përpjekje për të siguruar një mbrëmje të sigurt dhe të këndshme për të gjithë personalisht.
"Për ata prej jush që nuk janë në gjendje të marrin pjesë për shkak të planifikimit ose shqetësimit të vazhdueshëm për të udhëtuar, ne duam që të dini se nuk do të ketë një mundësi lidhje zoom për shfaqjen," thuhet në letrën e botuar nga faqja e internetit e shoëbizit amerikan “Deadline”.
"Ne jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të siguruar një mbrëmje të sigurt dhe të këndshme për të gjithë ju personalisht, si dhe për të gjithë miliona adhurues të filmit në të gjithë botën”, nënvizohet më tej.
Ndër të tjera produksioni ka planifikuar një qendër testimi covid-19, e cila është ngritur në oborrin e Union Station, në qendër të qytetit L.A., ku do të zhvillohet ceremonia. Vetë Akademia - organi që mbikëqyr Oskaret - ka premtuar një ceremoni "intime" të kryer nën masa të rrepta Covid-19.
Producentët gjithashtu kërkuan që të nominuarit të visheshin sipas kodit të eventit, në shfaqjen që do të mbahet në Teatrin “Dolby” të dielën e 25 prillit.