Shpërthen vullkani në Islandë

Pas  800 vitesh heshtje tërmetet e fundit kanë zgjuar edhe vullkanin në gadishullin Reykjanes në Islandë.

Zyra meteorologjike e Islandës thotë se shpërthimi në Fagradalsfjoll nisi rreth orës 20:45 minuta të së premtes dhe më pas u konfirmua edhe përmes kamerave dhe satelitëve.

Një helikopter i rojës bregdetare është dërguar për të vëzhguar zonën rreth 30 km larg Reykjavikut. Më pas ai dërgoi edhe imazhet e para të llavës që rrëshkiste poshtë pas shpërthimit.

Islanda ka regjistruar më shumë se 40 mijë tërmete tre javët e fundit. ndërkohë pak para shpërthimit të vullkanit një lëkundje me magnitudë 3.1 u regjistrua 1.2 km larg Fagradalsfjollit.

Islanda përjeton shpesh dridhje toke pasi ajo ndodhet mbi kufijtë e dy pllakave tektonike që shtyhen në drejtime të ndryshme.

Në 2010-ën, shpërthimi i një tjetër vullkani në Islandë, bëri që të ndalej trafiku ajror në gjysmën e Evropës.

Sidoqoftë, shpërthimi në Fagradalsfjoll, nuk pritet të nxjerrë aq shumë hi dhe tym, ndaj aviacioni nuk pritet të preket.