"Luftoi" me sulmuesin, njihuni me gjyshen trime

Një gjyshe kineze, 76 vjeç ka luftuar me një sulmues dhe është përgëzuar për guximin e saj.

Xie Xiaozhen po priste të kalonte një rrugë në qendër të San Franciskos kur një burrë e goditi me grusht, raporton BBC.

Ajo instinktivisht u përgjigj duke e goditur atë me një shkop druri, thanë raportet lokale të lajmeve.

Kohët e fundit sulmet kundër aziatiko-amerikanëve janë rritur.

Hashtagu  "Asian-American granny retaliates against attacker" u bë viral në faqen kineze të internetit me 1.4 miliard klikime.

Shumë ndjekës të internetit e vlerësuan zonjën Xie, duke thënë se ajo ishte "me të vërtetë e guximshme", ndërsa një tjetër theksoi se ajo "i dha atij një mësim."

Një përdorues i Weibo bëri thirrje që njerëzit aziatikë të bashkohen pavarësisht nga ndryshimet e tyre, sipas një raporti të SCMP.

"Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie të mira, por njerëzit e këtyre rrënjëve që jetojnë  në SHBA, duhet të bashkohen sepse fuqia e tyre do të jetë më e fortë," tha ai.

Sulmi ndodhi të mërkurën, më 17 mars  kur Zonja Xie, e cila është me origjinë nga Guangdong, po priste të kalonte rrugën.

Ajo papritmas dëgjoi dikë të thërriste "kineze" para se ta godiste me grusht në fytyrë.  Ajo u kundërpërgjigj duke përdorur një shkop druri që pa afër, sipas raporteve.

Një video në internet, e bërë menjëherë pas sulmit tregon zonjën Xie që vajton ndërsa vendos një pako akulli në një sy jashtëzakonisht të mavijosur, ndërsa sulmuesi i dyshuar shihet i shtrirë në një barelë. 

Policia e San Franciskos ka thënë se një 39-vjeçar u arrestua dhe ata po hetojnë sulmin.