Përplasje në takimin SHBA-Kinë, Pekini akuzon Amerikën se po nxit vendet e tjera kundër tij

Takimi i parë i nivelit të lartë mes administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, dhe Kinës përfundoi të enjten me akuza të dyanshme.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe këshilltari i SHBA-së për sigurinë kombëtare, u përballën në një tryezë diplomatike në Alaskë me homologun kinez, Uang Ji, dhe një tjetër zyrtar të lartë të politikës së jashtme të Kinës.

Që në fjalët hyrëse, Blinken dhe këshilltari Jack Sullivan, nuk i përmbajtën kritikat ndaj Pekinit.

"Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e Kinës në Shinxhiang, në Hong-Kong, në Tajvan, me sulmet kibernetike ndaj SHBA-së dhe me shtrëngimin ekonomik të aleatëve tanë. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin global,'' tha Antony Blinken.

Delegacioni kinez reagoi duke qortuar Uashingtonin se përdor fuqinë ushtarake dhe financiare për të shtypur vendet e tjera.

Edhe respektimi i të drejtave të njeriut në SHBA është në nivel të ulët, dhe afro-amerikanët po masakrohen atje, deklaruan diplomatët kinezë.

Përplasja me deklarata vijoi për më shumë se një orë, me SHBA-në që e akuzonte Kinën se po bënte interesanten, ndërsa Pekini, se ishte Uashingtoni që nxiste shtetet e tjera kundër tij dhe se po shkelte protokollin e takimit.

Dy vendet ranë dakord të vijojnë t'i adresojnë mosmarrëveshjet në tryeza të tjera.

Raportet mes dy superfuqive mbeten të tendosura prej vitesh.