Kryemadhi: Rama ndryshoi Kodin Zgjedhor për të dëmtuar LSI, te lista e Rilindjes do hanë kokat e njëri-tjetrit

Monika Kryemadhi është rikthyer në Elbasan duke kërkuar votën për kandidatët e LSI. Sipas saj në 25 prill do ti jepet fund dhunës politike që ushtron kryeministri Rama. Klikoni video kroniken ne Youtube

Pak ditë pas përplasjes mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, Monika Kryemadhi është ndalur në Elbasan ku ka prezantuar në disa takime kandidatët për deputet.

Sipas saj me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryesocialisti Edi Rama mendonte se do të dëmtonte LSI.

Kryemadhi: Ne, kur Edi Rama ndryshoi Kodin, mendoi që do ta dëmtonte LSI-në, por në fakt Kodi që u miratua i ka dhënë disa prioritete jashtëzakonisht të mëdha LSI-së. Renditja në LSI nuk ka të bëjë me numrin që ke në listë, se sa me atë se çfarë secili nga ne përfaqëson.Dhe një nga avantazhet e tjera ndryshe nga lista e Rilindjes, të cilët do të hanë kokat me njëri-tjetrin, në LSI nuk është çështja tek thyerja e listës, por është çështja tek shërbimi i njerëzve. Pra, ajo që ne aspirojmë nuk është se sa deputetë dhe sa drejtorë do bëhen, ajo që ne aspirojmë është për të ndryshuar këtë sistem dhe për ti dhënë fund tranzicionit. LSI nuk po lufton për të bërë dy deputetë, apo pesë deputetë, apo edhe 3-4 drejtorë, të cilët abuzojnë me emrin e partisë politike, abuzojnë me votat e qytetarëve, pasurohen për veten e tyre dhe më pas ndryshojnë flamujt politikë.

Sipas saj, edhe administrata është nën dhunën e mazhorancës.

Kryemadhi: Për LSI-në është e rëndësishme për të ndryshuar sistemin. Kë quajmë ne ndryshim sistemi? Ne quajmë ndryshim sistemi, ajo që tha Klaudia pak më parë, për të gjitha ato gra që nuk kanë vëmendjen e shtetit, për të gjitha ato gra dhe kryefamiljare, që sot në Elbasan e kanë shumë të vështirë të rrisin fëmijët e tyre, sepse nuk kanë mundësi ekonomike.

Është qyteti me numrin më të lartë të të papunëve në të gjithë Shqipërinë, sepse edhe pse është një kryqëzim rrugësh, ka një mungesë vëmendjeje nga qeveria, kur ndërkohë ne jo më larg se disa ditë, treguam një nga aferat më korruptive që ka të bëjë me inceneratorin e Elbasanit, se si tre njerëz i kanë grabitur në një muaj 4 milion euro qytetit të Elbasanit. Tre njerëz që nuk jetojnë fare në Elbasan dhe që nuk kanë asnjë jetë këtu, asnjë ditë nuk kanë qëndruar këtu. Këto janë paratë e qytetarëve të Elbasanit.

Pra, ne duhet ti themi jo vetëm stop kësaj gjëje, pro duhet të krijojmë më shumë hapësira për punësim. Të ndalohet njëherë e përgjithmonë dhuna politike për njerëzit që janë në administratë dhe nuk ndihen komodë në këtë qeverisje.

Të kërcënosh sot mësuesit, mjekët, infermierët, bizneset, sepse nuk ndan të njëjtën bindje politike me Taulant Ballën apo Edi Ramën? Po punë e madhe fort! Bota nuk rrotullohet rreth atyre.

25 prilli për kryetaren e LSI do të shënojë votë kundër qeverisjes së kryeministrit Rama.