Largohet nga detyra Artur Kala, drejtori i Agjensisë së Administrimit të Pronave të Krimit të Organizuar

Artur Kala, drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, është larguar nga kjo detyrë.

Lajmi konfirmohet për “Ora News” nga vetë Artur Kala, i cili gjatë një bisede telefonike deklaroi se ishte larguar gati një muaj nga posti i drejtorit të kësaj agjensie, që ndodhet pranë Ministrisë së Financave.

Largimi i Kalës, duket se vjen nga përplasjet brenda fraksioneve të Partisë Socialiste, që drejtojnë Ministrinë e Brendshme, e cila është një dikaster që monitoron dhe heton pasurinë e eksponentëve kriminalë dhe që padyshim bashkëvepron me agjensinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestrura dhe Konfiskuara.

Mësohet se Kala është transferuar në një drejtori tjetër, ku titullarët e ministrisë i kanë besuar postin e drejtorit të Aseteve dhe Kabinetit në Ministri. Vendin e lënë vakant nga Kala, mësohet se e ka zënë, Theodhori Qirjako, një tjetër zyrtar i kësaj Agjensie.

Burimet thanë se Qirjako, nuk ka dashur të marë drejtimin e kësaj agjensie, për shkak të problematikave që shfaq herë pas here.

Por shefat e tij në ministri, e kanë komanduar për një periudhë 3 mujore, deri në kapërcimin e situatës zgjedhore të 25 prillit 2021.

Agjensia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, është një drejtori pranë Ministrisë së Financave, që menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara me vendim gjykate.

Sipas statistikave zyrtare të kësaj agjensie deri në shkurt 2020 janë në total 3.6 miliardë lekë pasuritë në vlerë, të tilla si prona të paluajtshme, makina, mjete lundruese, por edhe llogari bankare, të cilat i administron institucioni i mësipërm.

Kryesisht, këto pasuri rezultojnë të sekuestruara apo të konfiskuara në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë e Sarandë.

 Nga këto, 25.6 milionë euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe vetëm 3.9 milionë euro janë ato të konfiskuara, pra kur pronësia i ka ikur pronarit të mëparshëm dhe i ka kaluar shtetit.

Në foto: Theodhori Qirjako