Shpejtësia “vret” dy 21-vjeçarë, aksident në aksin Lushnje-Divjakë pas parakalimit mbi urë

Dy të rinj, vetëm 21-vjeç, mbetën viktima të një aksidenti në aksin Lushnje-Divjakë, që nga të dhënat e para kishte si shkak shpejtësinë dhe një parakalim të gabuar mbi urë. Ata e çuan në 11 numrin e viktimave në rrugë në 8 ditët e para të Marsit.

Shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit u mori jetën dy 21-vjeçarëve në aksin Lushnje-Divjakë.

Ata po udhëtonin me një motor, kur pas një parakalimi të cilësuar të gabuar u përplasën me një makinë mbi urën e Gradishtës.

Goditja ka qenë e fortë dhe mjeti e ka marrë motorin për disa metra përpara.

Drejtuesi dhe pasagjeri kanë përfunduar jashtë rrugës dhe kanë humbur jetën menjëherë.

Viktimat u identifikuan si Justin Baba, banor i Gradishtës dhe Igli Çuni,  nga fshati Korie.

Lexo edhe: Bilanci tragjik i aksidenteve, 41 të vdekur për dy muaj, ekspertët “fajësojnë” shpejtësinë

Mjeti drejtohej nga 51-vjeçari, Arsen Sinai, i cili është ndaluar nga Policia deri në sqarimin e rrethanave të plota të aksidentit.

Të paktën 11 persona  kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore në 8 ditët e para të muajit Mars, ku më shumë se 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Vetëm në harkun e katër ditëve të fundit aksidentet u kanë marrë jetën 8 personave në vetëm tre aksidente.

Veç dy të rinjve ngjarjes në Lushnje, tre persona humbën jetën në by pass-in e Rrogozhinës e tre të tjerë në Kashar të Tiranës, ngjarje për të cilën gjykata la në burg drejtuesin e mjetit Zija Murati.

Në tre muaj, 41 persona kanë humbur jetën dhe janë plagosur mbi 280 të tjerë në rrugët e vendit.

Shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit ka qenë shkaku kryesor.

https://youtu.be/PrtJtRwcCzQ