Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, i bashkohet listës së Opozitës së Bashkuar
Nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej 2016.
Sipas informacioneve, dorëheqja është dorëzuar sot, teksa mësohet se ai është kandidat në koalicionin “Aleanca për Ndryshim” e opozitës së bashkuar.
Me anë të një postimi ai i ka kërkuar ndjesë qytetarëve që nuk ka mundur ti përgjigjet, teksa ka sqaruar se është larguar për t’ju bashkuar listës së PDIU.
"Sot, mbas 5 vitesh në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë Durrës dhashë dorëheqjen.
Në rradhë të parë dua të falenderoj të gjithë kolegët për bashkëpunimin. Sidomos dy vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për ne.
Ndërkohë i kërkoj ndjesë të gjithë atyre qytetareve të cilëve nuk kam mundur ti përgjigjem apo ti mbaroj punë, më besoni që kam bërë gjithmonë më të mirën e mundshme dhe përkushtimi im ka qenë maksimal për të respektuar qytetin dhe institucionin që unë perfaqësoja.
Ky vendim lidhet me faktin që unë do përfaqësoj PDIU në zgjedhjet parlamentare dhe do bëj më të mirën për amanetin e gjyshërve të mi duke u përpjekur për zgjidhjen e Çështjes Çame, pa harruar asnjë moment Durrësin qytetin tim që i detyrohemi aq shumë.
Ju faleminderit për mbështetjen", shkruan ai.
Tahiri është emëruar në bashki në shkurt të vitit 2016, nga radhët e PDIU-së, forcë politike në të cilën aderon prej vitesh.
Lexo me shume: PS mbledh kryesinë pasditen e sotme, kush ikën e kush hyn, ja lista paraprake