Plumba në Rrogozhinë, sherri përfundon me 3 të plagosur, rëndë 22-vjeçari Klajdi Lluca

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e kësaj të hëne në fshatin Sinaballaj në Rrogozhinë.Të plagosur kanë mbetur 3 persona ku njeri prej tyre vijon të jetë në gjendje të rëndë. Ndërkohë policia po heton pistën e ndonjë konflikti të çastit për arsye banale edhe pse më përpara këta persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Një konflikt banal përfundoi me përdorimin e armëve, duke lënë të plagosur 3 persona në fshatin Sinaballaj në Rrogozhinë.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:50 minuta pranë një pike karburanti, ku 22-vjeçari Klajdi Lluca është konfliktuar me 2 vëllezerit Jurgen dhe Ervin Juba përkatësisht të moshës 24 dhe 28 vjeç.

Këta dy të fundit kanë përfunduar në spitalin rajonal të Durrësit, njëri prej të cilëve është plagosur me armë zjarri, ndërsa tjetri nga goditjet që ka marrë me sende të forta.

Në gjendje më të rëndë ndodhet 22-vjeçari Lluca, i cili raportohet të jetë i shtruar në spitalin e Traumës në kryeqytet, me një plumb në këmbë.

Policia ka dyshime se një person i katërt është përfshirë në sherrin mes të rinjve por ende nuk kanë rënë në gjurmët e tij.

Në filtrin e uniformave blu do të kalojnë kamerat e sigurisë të pikës së karburantit ku dhe ndodhi ngjarja për të zbuluar më shumë mbi dinamikat e sherrit.

Burimet thonë për Ora News se këta persona janë konfliktuar edhe më parë njeri-tjetrin, ndërkohë policia raporton se përplasja me armë ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

https://youtu.be/xFrFQ1eDi-I