"Pse policia nuk i ka kapur autorët?!" Ora News zbardh dëshminë e babait të Santiago Malkos në gjykatë

Babai i Santiago Malkos ka akuzuar policinë se nuk po arreston vrasësit e djalit të tij. Shefqet Malko ka dëshmuar në gjykatë në procesin ku është prezent vetëm njëri nga të akuzuarit, pasi tetë të tjerët janë shpallur në kërkim. Gjatë dëshmisë babai i ish-policit ka thënë se nuk ishte në dijeni se djali i tij të ketë pasur konflikte, dhe se pas vrasjes, forcat e rendit nuk kishin ngritur postblloqe për kapjen e autorëve.

Gjykata e Tiranës ka marrë në pyetje në seancë babain e ish-policit Santiago Malko, i ekzekutuar në gusht 2018 në një atentat në zonën e Xhamllikut.

Gjatë dëshmisë së tij i ati i 27-vjeçarit ka akuzuar policinë se nuk ka identifikuar autorët e vrasjes së djalit, për të cilin ka thënë se nuk ishte në dijeni të ketë pasur konflikte.

Ora Neës ka mësuar se në procesin kundër Blendi Tetës dhe 8 personave të tjerë të dyshuar që po  gjykohen në mungesë, babi i 27 vjeçarit ka thënë se lajmin për ngjarjen e ka mësuar nga televizioni.

Sipas tij ai është nisur drejt vendngjarjes por rrugës nuk ka pasur asnjë postbllok policie për kapjen e autorëve.

“Pse uniformat blu nuk i kanë kapur autorët? Unë nuk kam pasur dijeni se djali im të kishte konflikte me ndonjë person. Nuk njoh asnjë nga personat e dyshuar”, mësohet të ketë thënë Shefqet Malko në sallën e gjyqit.

Po i njëjti burim thotë se në seance nuk u paraqit bashkëshortja e viktimës Dea Malko.

Sipas policisë gruaja e ish-punonjësit të policisë është larguar jashtë vendit.

Ndërkohë në kërkim për këtë çështje janë shpallur shtetasit Leonard Duka, 33 vjeç; Erlis Duka, 29 vjeç; Ilir Selmani, 34 vjeç; Oltian Loga, 38 vjeç; Dritan Agaj, 38 vjeç; Fatmir Hyseni Musai, 42 vjeç Aleksdandër Maxhaku, 37 vjeç dhe Xhoni Nica, 24 vjeç.