Rama: Unë gomari, që gjithmonë e çoj në destinacion ngarkesën pavarësisht dembelëve aktivë

Kryeministri Edi Rama është besimplotë që brenda 14 muajve do të vaksinohet për Covid e gjithë popullata që do të vaksinohet.

Duke folur nga stadiumi "Air Albania" në të cilin vijon fushata e vaksinimit, Rama tha se brenda kësaj jave do të kryhen 1000 vaksina dhe se ky proces do të nisë nesër edhe në Vlorë.

Rama: Për rreth 1000 persona vaksinimi do përfundojë këtë javë ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Sot janë prezent mjekë dhe infermierë nga  Durrësi, nga Mati dhe Bulqiza, nesër do jemi në Vlorë do vazhdojmë me zonën poshtë. Do vazhdojmë me një  numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet ti mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalime.Presim një konfirmim të rëndësishëm për të formalizuar 360 000 doza me AstraZenecën. Mbrëmë kemi pasur një kontakt me një shtet mik dhe përsëri edhe aty kemi shumë shpresë realiste se do kemi dhe një sasi tjetër. Mbetemi të bindur te realizimi i skenarit A  që do të thotë se brenda 14 muajsh të kemi kryer të gjithë procesin e vaksinimit."

I pyetur se cila është arsyeja e pritjes së çdo dërgesë vaksinash në aeroport prej tij, Rama u shpreh:

Rama: Kur erdhën vaksinat dhe nuk i prita e hapët syrin shumë fort dhe thatë pse vijnë fshehtas. Kur shkojmë është e kundërta, pse shkojmë, çfarë është kjo propagandë. Duke qenë se njerëzimi nuk e zgjidhi kurrë dilemën çfarë uji ti japim gomarit unë kam vendosur të bëj çfarë është e drejtë dhe sipas rastit e vlerëson gomari a duhet i ngrohtë apo duhet i ftohtë. Gomari jam unë gjithmonë se unë mbaj ngarkesën, marr dhe të sharat por kam një të mirë që  jam gomar e çoj në destacion gjithmonë pavarësisht se dembelët aktivë të Shqipërisë nuk më lënë rehat asnjë moment por jam mësuar me ta dhe ma bëjnë më të lehtë rrugën dhe më japin më shumë energji dhe vendosmëri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila shoqëronte kryeministrin deklaroi se ende ka kapacitete shtretërish të lirë në spitalet COVID.

Ajo theksoi se në spitalet Rajonale në Durrës dhe në Shkodër aktualisht janë 20 të shtruar, por çështja e personave të shtruar mund të ndryshojnë nga momenti në moment.