Mbi 1 miliard lekë, cila është kompania që fitoi dy tendera nga Manastirliu
Teksa vendi po përballet me një tjetër valë të Covid-19 dhe teksa spitalet janë të tejmbushur me pacientë, Ministria e Shëndetësisë ka çelur dy tendera për blerje oksigjeni.
Të dy tenderat, fituesi i të cilave u shpall ditën e djeshme, kapin një vlerë prej 1.45 miliardë lekësh ose 11.7 milionë dollarë.
Të dy tenderat, një për Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe tjetri për Spitalin e Lushnjes “Ihsan Cabej”, janë fituar nga një kompani e vetme, GTS sh.p.k.
“Open Data Albania” i ka vlerësuar të dy tenderat në fjalë me flamur për mungesë konkurrence dhe mungesë gare.
Flamuri i kuq shfaq nevojën për investigim, kontroll apo auditim të procesit me risk të mundshëm për pajtueshmërie ligjore lidhur me praktika korruptive.
Por kush është GTS Sh.p.k dhe përfaqësuesi shqiptar i saj, Besnik Halili?
GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k, sipas “Open Corporate”, ka për administrator Giovanni Annoni, Matteo Fumagalli Romario dhe Besnik Halili (përfaqësues i shoqërisë sipas prokurës së posaçme, datë 10.01.2019).
Ajo është themeluar më 18 janar 1996 në Tiranë me një kapital themeltar prej 292 164 000 lekësh.
GTS, me seli qëndrore në Vaqarr, Tiranë ka “mëmë” kompaninë italiane "SOL s.p.a", shoqëri me seli ne Monza, rruga Borgazzi 27 (Itali), regjistruar ne Regjistrin e Shoqerive te Monza dhe Brianza me numer 04127270157 (i cili korrespondon edhe me kodin fiskal), me nje kapital prej 47.164.000 (dyzetë e shtatë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë) euro, përfaqësuar në këtë kontratë nga Z. Aldo Fumagalli Romario dhe z. Marco Annoni (Sipas kontratës së shitblerjes së kuotave, datë 30.07.2015).

"GTS" rezulton fituese e shumë tenderave të tjerë në spitalet e vendit
Një kërkim i thjeshtë në faqen e "Spending Data", ku publikohen të gjitha pagesat nga institucionet shtetërore, vihet re se, kompania "GTS" rezulton fituese në thuajse të gjithë tenderat e spitaleve në vend sa i përket furnizimit me oksigjen apo me ilaçe dhe materiale të tjera mjekësore.
