Lame sqaron risitë e ligjit për plotësimin e AMTP-ve të tokës bujqësore

"Tashmë, pas përmbylljes së procesit të legalizimeve, sfida e radhës në fshat është sfida e certifikimit të tokës buqësore".

Kreu i Kadastrës, Artan Lame, në një deklaratë të posaçme për mediat ka bërë të ditur se do të lehtësohen procedurat e hipotelimit të tokave që janë marrë në përdorim prej komisioneve të ndarjes së tokave bujqësore.

Sipas Lames me ligjin 7501 kanë përfituar 450 mijë familje, por rreth gjysma e tyre janë ende të pacertifikuara.

Megjithatë kreu i Kadastrës nënvizoi se jo të gjitha AMTP-të do të verifikohen.

"Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre".

Nga ana tjetër Lame nënvizoi se janë katër kategori që nuk do të përfitojnë hipotekimin e tokës.

"Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë. Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm vetëm 4: truall; vepër e infrastrukturës publike; rërë bregdetare, plazh; sipërfaqe ujore".

Çudi sipas Lames është dhënia e tokës në përdorim në sipërfaqet ujore.

"Ka pasur shumë raste ku është spekuluar me AMTP-të duke i kthyer dhe kënetat dhe ligatinat si tokë bujqësore."

Lame shtoi se përmes vendimeve të qeverisë lehtësohen pronarët, pasi nuk do të ketë më ecejake në gjykata.