Banorët në Sauk të ri të rrezikuar nga rrëshqitja e dherave: Bashkia nuk na ka dhënë zgjidhje
Reshjet e shiut të rëna ditëve të fundit kanë sjellë dhe rrëshqitje të tokës, duke nxjerrë një shtëpi të pabanuar në zonën e Saukut të ri por duke rrezikuar dhe shtëpi të tjera përreth. Banorët thonë se janë ankuar në Bashki për marrjen e masave por këto të fundit pasi kanë parë situatën prej një muaji nuk kanë bërë asgjë.
Rrëshqitja e dherave si pasojë e shirave ka bllokuar prej 1 muaji banorët në rrugën "Andera Xaga" në Sauk të ri.
Dherat kanë bllokuar rrugën, duke i rrezikuar jetën dhe një familje tjetër.
Të indinjuar banorët aty thonë se kanë lajmëruar Bashkinë, e cila pasi ka shkuar në zonë për të parë gjendjen nuk ka marrë asnjë masë.
"Kanë ardhur i kanë parë dhe për momentin asgjë. Vijnë e shohin dhe ikin. Bashkia thotë të presim. Ka ngelur fjala te ju. Njeri masa nuk po merr, nuk dimë se si të veprojmë edhe ne."
Si pasojë e rrëshqitjes së tokës, një shtëpi ka dalë e pabanueshme, banorët e së cilët janë larguar.
Nga Bashkia nuk kanë marrë bonus ndërsa apelojnë për ndihmë si dhe kërkojnë marrjen e masave sa më parë për lirimin e rrugës.
"Kemi një muaj e 10 ditë që rruga është e bllokuar. Tani po jetojmë në shtëpi me qera. Nëse bie shi dhe rrëshqet dheu, rrezikon shtëpia."