Prençi “braktis” Metën për Kryemadhin, LSI do ta kandidojë në Durrës

Një tjetër këshilltar e braktis presidentin Ilir Meta për t’u bashkuar me partinë e Monika Kryemadhit. 

Dorëheqjen e Shemsi Prençit nga post i këshilltarit për Çështjet e Emergjencave Civile e ka njoftuar vetë Presidenti Ilir Meta me anë të një statusi në facebook.

"Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, z.Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen.

E falenderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizimin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite.Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen".

Burime për RTV Ora bëjnë me dije se Prençi do të angazhohet në fushatën elektorale të LSI, pasi do të jetë pjesë e listës së Durrësit. Në të njëjtën listë me ish-këshilltarin tjetër të Presidentit Meta, Bahri Shaqiri.