Shtyhet shkarkimi i gjyqtares, Hoxha do shoqërohet me policë në KLGJ, avokati njofton marrëveshje me ILD
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të shtyjë për në 25 shkurt vendimin për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Shtyrja u bë me kërkesë të avokatit mbrojtës, i cili kërkoi që ajo të jetë vetë e pranishme për të dhënë argumentat e saj. Shoqërimi do të bëhet me efektiva policie pasi Enkeledja Hoxha është në gjendje arresti ndërkohë që Inspektoriati i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin e saj.
Gjyqtarja e arrestuar Enkeljeda Hoxha do të shoqërohet me pranga para Këshillit të Lartë Gjyqësor më 25 shkurt.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e së martës ku avokati i saj mbrojtës, Ardian Visha, kërkoi pezullimin e seancës me argumentin se gjyqtarja duhet të jetë e pranishme vetë para KLGJ-së për të dhënë sqarime në lidhje me vendimet e lirimeve pra kohe me kusht, për të cilat inspektori ka kërkuar edhe shkarkimin e saj nga detyra.
Por kjo kërkesë e avokatit është kundërshtuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i cili ka argumentuar se gjyqtarja kishte të gjithë kohën e nevojshme për tu pregatitur. Këtë qëndrim ai e mbajti edhe pas daljes nga mbledhja.
Pavarësisht pretendimeve të inspektorit, mbledhja është shtyrë për në 25 shkurt, ku gjyqtarja do të shoqërohet në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shprehur vullnetin e saj në lidhje me kërkesat.
Hetimet kanë nisur pas lirimeve para kohe me kusht te Indrit Dokles, Genc Tafilit dhe personave të tjerë ndërohë që procedimi i gjyqtares do të zhvillohet vetëm për lirimin e Hekuran Billës pasi për të vendimi ka marrë formë të prerë.
Avokati i gjyqtares tha se inspektorit mund ti propozohet një marrëveshje nga gjyqtarja, e thënë ndryshe që mund te pranojë disa nga shkeljet për të cilat ai e ka proceduar dhe kjo duhet të bëhet kur është e pranishme vetë gjyqtarja.
Një ditë më parë KLGJ vendosi pëzullimin nga detyra të gjyqtares pas arrestimit të saj nga SPAK.