I kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, 32-vjeçari gjendet në një banesë me një polic

Një oficer policie është arrestuar nga policia e Tiranës së bashku me një person në kërkim gjatë operacionit të koduar me emrin "Kontakt", ku janë sekuestruar edhe 2.3 kilogramë kanabis sativa.

Burimet zyrtare thanë se forcat e komisariatit 2 bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, zhvilluan operacionin “Kontakt”.

Gjatë këtij operacioni si rezultat i veprimeve të kryera, në rrugën “Ndre Mjeda” u bë e mundur  kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale Arber Balliu, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Ky person ishte shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale "Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje", pasi në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.

Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë së Dibrës, Demiraldo Heta, 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, është ushtruar kontroll në ambientet e banesës së të këruarit ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë e cila është sekuestruar ndërsa një person i tretë gjithashtu në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike dhe është vënë në pranga.

Gjatë sekuestrimit të lëndës narkotike policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.