Varkë me mesazhe për Ramën, të përmbyturit i dalin përpara, policia “blindon” Shkodrën

Kryeministri Edi Rama u prit me një protestë simbolike në Shkodër nga banorët e zonave të përmbytura. Ata kishin vendosur  buzë rrugës një varkë, si mjetin e vetëm me të cilin lëvizin, ndërsa u ankuan për mungesën e mbështetjes e kërkuan dëmshpërblim. Policia e Shtetit ndërkohë kishte blinduar kryeqendrën e veriut për të shmangur incidentet.

Kjo ishte pamja e rrugës hyrëse dhe disa prej kryqëzimeve kryesore të Shkodrës (shiko videon).

Nuk kishte ngjarje kriminale fatmirësisht, që të alarmonte uniformat blu, por arsyeja e mobilizimit ishte ardhja e lajmëruar e kryeministrit Edi Rama në kryeqendrën e Veriut.

Dhjetra efektivë, forcat Shqiponja dhe trupat e Gardës ja siguruan hyrjen e qetë në qytet kreut të Qeverisë, që ishte paralajmëruar se do të pritej me protestë nga banorët e zonave të përmbytura.

https://youtu.be/kYaRU1QJ5wA

Të penguar për t'ia thënë ballë për ballë hallet kreut të qeverisë, banorët e Nënshkodrës ia përcollën mesazhet me pankarta.

Në një pellg uji mes rrugës kishin vendosur një varkë, mjetin e vetëm me të cilin kanë lëvizur gjatë përmbytjes gati dy mujore.

E përmes mediave nuk ia kursyen akuzat e ironitë.

"Jemi mbledhur për të pritur Skënderbeun e tretë, se dyshi është Spiropali,i cili na viziton me na sjellë ca ndihma të përmbyturve. Ka kaluar 40 ditë që ne si njësi dhe njësi të tjera janë të përmbytura. Në Berdicë janë 350 hektarë të përmbytura dhe nuk kemi parë asnjë ndihmë nga shteti jonë që drejtohet nga një legjendë. Populli i kërtij vendi po shkon drejt regresit, nuk ka mirëqënie. Ne si banorë shprehim indinjatën, shteti të mos shëtitë me makina por të ulet me këmbë në tokë dhe të na shohë shtëpi më shtëpi. Vetëm me çizme të gjata mund të kalosh atje", tha një banor nga Berdica e Mesme, njësia administrative Berdicë.

Sipas raportit zyrtar të emergjencave këtë të martë në zonën e Nënshkodrës ishin 4390 Ha tokë e përmbytur dhe rreth 250 shtëpi me prani ose të rrethuara nga uji.