Bushkolaj: Tirana ka mbajtur krahun e Serbisë, për atribute personale Rama ka dëmtuar Kosovën
Gazetari, Elkier Bushkolaj ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora ku tema për të cilën u fol ishin "Zgjedhjet në Kosovë". Bushkolaj komentoi fitoren e Kurtit si një fitore e cila ishte e nevojshme për Kosovën pasi tani ajo ka realisht përparësi në dialogun me Serbinë.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi sipas gazetarit, Avdullah Hoti kishte shumë mangësi një prej të cilave ishte dhe mungesa e mbështetjes nga Tirana zyrtatre pasi gjatë bisedimeve ka mbajtur krahun e Serbisë.
"Kam përshtypjen që Kosova tani realisht ka avantazh në raport me dialogun me Serbinë. Avdullah Hoti ishte i papërfaqësuar politikisht për të përfaqësuar realisht Kosovën përballë Vucicit. Kujtojmë që Vucic është politikani në Serbi i zgjedhur disa herë me votë populllore dhe atë masive dhe përfaqëson popullin serb dhe interesat e Serbisë. Hoti kishte dhe një mangësi tjetër që nuk kishte përkrahjen e Tiranës zyrtare, fatkeqësisht Tirana zyrtare ka mbajtur krahun e Serbisë në këto bisedime"- thotë ai.
Gjatë bisedës ai risolli dhe njëherë në vemendjen tonë takimin e Ramës dhe Vucicit gjatë tërmetit të rënë në Durrës më 26 nëntor 2019. Ai shton se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për atribute personale ka dëmtuar Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë.
"Kujtojmë që kur ra tërmeti në Durrës pamë kryeministrin Edi Rama i cili u shfaq në zonat e tërmetit krah Vucicit, nuk ishte as krah Haradinajt. Më vonë doli krah Thaçit, ky është një mesazh shumë negativ. Kryeministri shqiptar shqiptar mesa duket me idenë e tij për mini schengeni ballkanik, për të marrë atribute personale ka dëmtuar Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë. Serbia është një dështim. Serbia është zgjeruar gjithmonë në dëm të trojeve shqiptare dhe në dëm të interesave shqiptare. Çdo marrëdhënie me Serbinë e dëmton kombin shqiptar. Sot ne po shpopullohemi, por shpopullimi i Shqipërisë është një politikë e vjetër e Serbisë"- shton gazetari.