Kryeministri shmang mediat për të uruar fitoren e Kurtit, përdor twitterin
Zgjedhjet në Kosovë dhe fitorja e Vetëvendosjes kanë qenë tema kryesore e takimit të drejtuesve politikë të PS. Kryeministri Edi Rama zgjodhi të urojë Vetëvendosjen përmes tëitterit ndërkohë që kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ishte më direkt në urimin e tij për Albin Kurtin. Sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri, PS është ende duke diskutuar listën e kandidatëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.
Zgjedhjet në Kosovë dhe fitorja e Vetëvendosjes ka qënë pjesë e diskutimit e takimit të kryesocialistit Rama me drejtuesit politik në selinë rozë.
Urimin për zgjedhjet në Kosovë Rama e përcolli vetëm me një status në tëitter për LVV, por duke mos përmendur emrin e Albin Kurtit, ndaj të cilit jo pak herë është shprehur me tone kritike.
“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve,LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”.
Por për ta uruar publikisht Albin Kurtin për fitoren në Kosovë në emër të mazhorancës, Edi Rama i shmangu mediat duke ja lënë numrit dy të PS-së detyrën e komunikimit me publikun.
Balla: Dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurtin për fitoren e këtyre zgjedhjeve
Balla mendon se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova jo vetëm nxjerrjen e shpejtë të rezultatit, por edhe pranimin e vullnetit të votuesve nga ana e partive.
Balla: Jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri mësime, eksperienca. Të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe në Shqipëri pas 25 prillit çdo parti politike të pranojë rezultatin.
Shqipërinë e ndajnë 60 ditë nga zgjedhjet parlamentare dhe PS vijon të diskutojë për emrat e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohet para zgjedhësve për mandatin e tretë.
Por burime të Ora News bëjnë me dije se deputetë të opozitës parlamentare do të jenë në listat e selisë rozë dhe këtë fakt nuk e mohon as sekretari i Përgjithshëm i PS.
Balla: Kemi krijuar një instrument shumë të mirë për ti shndërruar ekipet fituese të PS në një listë përfaqësimi të gjithë kontributeve të shoqërisë shqiptare. Listat e PS do të jenë një risi.
Javën e ardhshme PS do të prezantojë programin për mandatin e tretë qeverisës, ku në thelb do të fokusohet në rishikimin e taksës progresive.