Sot vijnë edhe 7000 vaksina nga Pfizer, Rama: Pranë akordit me Astrazeneca

Mbrëmjen e kësaj të hëne, 15 shkurt, në vendin tonë pritet të mbërrijë një tjetër parti vaksinash  prej 7000 dozash nga marrëveshja me Pfizer.

Deri në fund të muajt numri i tyre do të shkoj deri në 40 mijë.

Ndërkaq Rama shton se jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina Astrazeneca.

"Sot nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës antiCOVID nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina Astrazeneca Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik. Mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve".

Në gati 1 muaj fushatë vaksinimi janë administruar 1229 doza nga rreth 2100 doza gjithësej.

Ndërkohë që procesi i vaksinimit po vijon edhe pse me ritme të ngadalta, situata pandemike është përkeqësuar, e sidomos në spitalet Covid.

Në katër strukturat spitalore Covid në kryeqytet, kapacitetet janë drejt ezaurimit. Me plotësimin e tyre do të duhet që të hapen edhe spitalet rajonale.

Sëbashku me spitalet rajonale kapaciteti i shtretërve shkon në 1600, skenarë ky i parashikuar nëse do të kishte një mbingarkesë në spitalet Covid në kryeqytet.