Dëbora zbardh vendin, vështirësi në trafik, zona të bllokuara dhe mungesë energjie elektrike

Ngricat si pasojë e temperaturave të ulta po shkaktojnë izolim e vështirësi pas reshjeve intensive të borës që përfshinë vendin.

Në orët e pasdites, probleme pati në  zonën e Qafë Thanës në aksin Librazhd-Pogradec.

Dhjetra persona mbetën të bllokuar për shkak të rrëshqitjes së një autobusi dhe një kamioni, ndërkohë që pranë vendit të quajtur Kthesa e Tetovarit" u grumbullua borë në Rrugë.

Trafiku i krijuar, bën të pamundur mbërritjen e borëpastrueses në zonën bllokuar.

Reshjet e dëborës në qarkun e Korçës variojnë nga disa cm në qytet deri në 2 metra në zonat e thella malore.

Rrugët nacionale raportohen të kalueshmem, me përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.

Në Dibër, Bulqizë, Kukës, e Librazhd ka fshatra të izoluara, nga dëbora që shkon deri në 70 cm.

Rruga Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.

Akulli mbizotëron në superstradën Lezhë Milot, ku disa dhjetëra automjete të tonazheve të ndryshme kanë mbetur të bllokuara në anë të rrugës që prej kaosit të krijuar mbrëmjen e së shtunës.

Shumë të tjera janë përfshirë në aksidente apo kanë dalë nga rruga.

Ngrica në rrugë krijoi vështirësi edhe në autostradën Rrogozhinë Lushnje, ku përgjatë së dielës u shënuan disa aksidente, fatmirësisht pa viktima.

Në orët e para të mëngjesit një 71-vjeçare humbi jetën pasi autoambulanca që po transportonte në Spital doli nga rruga në autostradën Tiranë Durrës.

Temperaturat shënuan disa gradë nën zero në pjesën më të madhe të vendit ndërsa ka raportime për probleme me energjinë elektrike.

Reshjet e dëborës u rikthyen në Llogora të Vlorës, Bregdetin e Durrësit e qytetin e Fierit, ku banorët iu gëzuan fenomenit të rrallë për ta.