Pazaret në gjykatën e Krujës, pasi zbuluan se po përgjohen, u përdorën rrjetet sociale

Prova më e fortë që prokuroria e posaçme ka për gjyqtaren e arrestuar dhe 9 personat e tjerë, janë përgjimet ambientale, dhe telefonike. Gjatë bisedave evidentohen qartazi pazaret për të liruar të burgosurit kundrejt shpërblimit. Gjatë vëzhgimit mësohet se avokati Aldo Tabaku kishte zbuluar dhe agjentët që po e mbikëqyrnin, por pavarësisht kësaj ata kanë vijuar me skemën. Për të mos rënë në sy, të pandehurit përdorën dhe rrjetet sociale, në mënyrë që të mos përgjoheshin.

Përgjimet telefonike dhe ambientale janë  prova më e fortë e SPAK-ut lidhur me skemën e korrupsionit në gjykatën e Krujës, ku gjyqtarja Enkeleida Hoxha, kryesekretarja Maunela Mallkucci dhe avokati Aldo Tabaku, koordinoheshin për të liruar të burgosurit kundrejt pagesave nga 6-12 mijë euro.

Në përgjimet ambientale evidentohet fakti se avokati Tabaku kishte kuptuar që po përgjohej, madje në një episod ai përballet me punonjësen e forcave operacionale , të cilës i ka kërkuar llogari pse po filmonte dhe e ka ndjekur atë deri sa është larguar nga Kruja.

Më pas gjatë përgjimeve telefonike, është zbuluar se seanca për lirimin e Gentian Nezajt, është shtyrë për shkak të episodit të regjistruar në gjykatë, dhe frikës se mos zbuloheshin.

Zbulimi i agjentëve evidentohet dhe nga biseda mes shtetasit R.H dhe Gazmir Nezajt, ku ky i fundit shprehet se vëllai i tij i cili do lirohej ka folur në burg, dhe avokati i ka thënë që duhet të shtyhet gjyqi, dhe të ndryshohen ambientet e takimeve pasi agjentët ishin duke i monitoruar.

Pas këtyre episodeve, gjatë përgjimeve evidentohet dhe fakti se avokati Aldo Tabaku ka vijuar të komunikojë nëpërmjet rrjeteve sociale për lirimin e të burgosurve.

Në përgjime zbulohet një rast ku të dyshuarit kishin marrë paratë për lirimin e Sajmir Petanit nga qelia, por ishin zbritur vetëm 6 muaj nga dënimi, ndaj familjarët e tij u kërkonin të pandehurve të kthenin lekët pas.

Nga shtatori deri në dhjetori, Petani ka bërë kërkesë për njohje amnistie, por kur caktoheshin gjyqtarët ai tërhiqej deri sa në shortin e 18 dhjetorit, u caktua gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Vetëm kërkesa penale e cila u shqyrtua nga e dyshuara gjeti zgjidhje me një vendim që i dha zgjidhje thelbit të kërkimeve të të dënuarit.

Ajo që bie në sy gjatë përgjimeve të prokurorisë, është fakti që gjyqtarja Hoxha emërtohet si kryesorja, dhe gjatë gjithë bisedave telefonike palët interesohen që kërkesa për lirimin e familjarëve të tyre ti bjerë asaj dhe janë gati të bëjnë pagesat.  

Ndërkohë të shtunën gjykata e posaçme la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 10 të arrestuarit mes tyre dhe gjyqtaren Enkeleida hoxha.

I vetmi që pësoi ndryshim të masës së sigurisë ishte mjeku Edvin Prifti i cili nga pezullim detyre, iu caktua arrest me burg.

Kjo për shkak të shumës së madhe të parave që iu gjetën në banesë dhe në zyrë.