Turizmi në kohë pandemie, Kasmi: Prenotime ka patur, por jemi të varur nga ecuria e pandemisë
Rexhep Kasmi, Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistik në një intervistë për Ora News ka treguar se gjendja e turizimit në vend për shkak të pandemisë nuk paraqitet e mirë.
Sipas Kasmit, potencialet që ka turizmi shqiptar janë 20% të shfrytëzuara, ndërkohë që shtoi se verën që vjen situata shpresohet të përmirësohet.
Kasmi: Turizmi është i pashfrytëzuar në Shqipëri dhe nëse turizmi do të vendosej si objektivi kryesor i projekteve dhe planeve të qeverisë së ardhshme, kushdo qoftë, nga turizmi mund të merren 20% e GDP-së së vendit, nëse do të bëhej fokusi kryesor. Kjo nuk është e tepruar. Potencialet që ka Shqipëria për turizmin, janë 20% të shfrytëzuara. Kështu që këtu ka hapësirë sa të duash për të rritur GDP-në nga turizmi...
Prenotime ka patur, janë të varura shumë nga ecuria e masave që do të vazhdojnë të ekzistojnë për lëvizjen e lirë. Shpresojmë që nga muaji maj këto masa të fillojnë të hiqen. Kjo do të krijojë një frymëmarrje më të madhe. Pritet që sivjet prenotimet të jenë jo kaq në avancë, por mendohet që do të jenë në kohën që afrohet sezoni i pushimeve, sepse do të jetë koha kur njerëzit janë të lirë të vendosin si nga ecuria e vaksinimit, si nga ana e kufizimeve.
Pritet që në verë hotelet të kenë shumë më tepër fluks se sa vjet dhe do të jetë i shpërndarë më shumë se sa në ato pika ku u shpërnda vjet turizmi, kryesisht nga shqiptarët e Kosovës.
Intervista në studio për gazetarin Arnold Kariqi, përgatiti për online Tea Islamaj.