Ura që rrezikon jetë, në Zall-Dajt kalimi i pamundur, asnjë ndërhyrje

Banorët në Zall-Dajt dhe në rrethina kalimi bëhet mbi urën që shpesh është nën ujë. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar ngjarje të rënda.

Prej më shumë se dy vitesh banorët e Zall-Dajtit por dhe të fshatrave përreth detyrohen të kalojnë përmes kësaj ure për tu lidhur me Tiranën apo me zona të tjera.

Ura është tejet e amortizuar dhe në kohë me reshje mbulohet nga uji.

Të shqetësuar, prindërit kërkojnë ndërhyrjen për të mos lejuar rrezikimin e fëmijëve.

"Ura është në gjendje të mjerueshme, është produkt i bllokimit të ujërave të rrjedhjes së lumit. Duke kaluar këtu përditë na rrezikohet jeta."

"Shumë e vështirë, mbushet ura plot me ujë, është problem."

Rruga e Arbrit ende nuk ka përfunduar, madje dhe në akset ku është hedhur asfalti nuk lejohet kalimi i mjeteve.

"Së paku të na lejohet kalimi i rrugës aty ose të riparohet rruga në kushtet e duhura këtu."

Banorët akuzojnë se një pjesë e automjeteve lejohen e të tjera jo.

"Ky është paradoks akoma më i madh, autobusi nuk lejohet të kalojë aty se i rrezikohet jeta nga shpejtësia ndërsa makinat e tjera kalojnë."

Kërkojnë nga Bashkia zgjidhjen e problemit ose të asfaltojnë rrugën e tyre, e cila është pothuajse e pakalueshme.

"Të merren masa dhe të rregullohet rruga se është ibret."