PD fushatë me burra, Basha: Problemi nuk është te numrat por te mënyra si i trajton gratë dhe vajzat

Dy ditë më parë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi në një takim drejtuesit politik në qarqe që do të kordinojnë fushatën për zgjedhjet e 25 prillit.

Por ajo që ra në sy ishte fakti se mes 17 drejtuesve, vetëm tre ishin femra, përkatësisht Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Grida Duma.

Në një intervistë për Rtv Ora, Basha thotë se PD do të reflektojë te listat për respektimin e barazisë gjinore, por nga ana tjetër nënvizon se qëllimi kryesor nuk janë numrat për fasadë por cilësia dhe përfaqësimi real.

Basha: Pa pikë diskutimi, PD i ka prirë gjithmonë betejës për barazinë gjinore, ishim ne që propozuam 50% përfaqësimin e grave në këshillin bashkiak. Problemi është që nuk është vetëm te numrat por te mënyra që i trajton gratë dhe vajzat shqiptare. Nëse i merr për fasadë dhe pastaj i dhunon apo i vë si viktimat e para të politikave të tua se politikat e Ramës si shpopullimi, varfëria, rritja e taksave, papunësia, me të vërtetë rëndojnë mbi gjithë shqiptarët por rëndojnë më shumë mbi nënat shqiptare, mbi gratë shqiptare dhe mbi motrat tona. Apo do të arrijmë ti promovojmë ato duke u dhënë përgjegjësitë e duhura, duke i trajtuar si partnere të denja të rrugës për ndryshimin e Shqipërisë. Unë besoj te e dyta. Padiskutim, përfaqësimi dhe cilësia e përfaqësimit të grave do të vazhdojë të dominojë në zgjedhjet që PD dhe unë personalisht do të bëjmë.

Intervista me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti Besjana Kuçana