Opozita me një apo dy lista në 25 prill, Basha shton dyshimet: Rëndësi ka që jemi një koalicion, qëllimi…
E ndërsa vazhdon regjistrimi në KQZ i partive politike që do të garojnë me 25 prill përpara skadimit të afatit të 15 shkurtit, koalicioni opozitar nuk e ka zgjidhur ende dilemën nëse do të kandidojnë me një apo dy lista.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë për Rtv Ora nuk dha një përgjigje të qartë mbi këtë çështje, duke deklaruar se me rëndësi është që koalicioni është solid dhe qëllimi i tyre i përbashkët është largimi i Edi Ramës.
Basha: E rëndësishme është që koalicioni ynë është i bashkuar dhe i vendosur të realizojë peshën e misionit që kanë ngarkuar mbi shpatullat tona shumica dërmuese e shqiptarëve. Me 25 prill zgjidhja është e qartë, o me Edi Ramën dhe kundër Shqipërisë, o me Shqipërinë dhe kundër Edi Ramës.
Koalicioni ynë politik dhe shumë faktorë të tjerë që nuk janë pjesë formale e koalicionit tonë politik janë instrumenti i ndryshimit. Vota për koalicionin tonë, vota për PD dhe aleatët tanë është rruga e duhur që të fitojë Shqipëria, që të fitojnë shqiptarët. Nuk ka pikë rëndësie sesi vendimmarrja e cila ka të bëjë me aspektet teknike do të materializohet. Rëndësi ka që ne jemi një koalicion, kemi një qëllim dhe qëllimi është largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i Shqipërisë në duart e shqiptarëve.
LEXO EDHE
Basha në RTV Ora: Rama futi në Kuvend persona me rekorde kriminale, me 25 prill do paguajë faturën
Intervista me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti Besjana Kuçana