Manipuluan aksidentin, arrestohen dy policë rrugorë në Tropojë

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pranë Ministrisë së Brendshmeka vënë në pranga dy punonjës të Policisë Rrugore në Tropojë.

Efektivët akuzohen se kanë manipuluar të dhënat e një aksidenti.

Të arrestuarit janë efektivët me iniciale F.Gj dhe B.Rr, specialistë për menaxhimin e trafikut urban dhe interurban pranë Komisariatit të Policisë Tropojë.

Sipas hetimeve, dy efektivët kanë manipuluar dokumentacionin e një aksidenti duke fajësuar një prej qytetarëve të përfshirë në të.

Aksidenti në fjalë ka ndodhur më 16 janar, në aksin rrugor Lekbibaj-Tropojë, ku u përplasën dy automjete.

SHÇBA njofton se "nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021 është njoftuar nga një person se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete.

Shoferit i është thënë nga punonjësit e policisë, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi. Por vijon më tej njoftimi, “pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet”, thotë SHÇBA.