Video duke gatuar në kuzhinë, Basha me humor: Unë jam i rezervuar, falenderoni time shoqe
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë tejet aktiv në rrjetet sociale në këtë periudhë para-fushate, duke shfaqur anën e tij familjare.
Në një intervistë për Rtv Ora i pyetur se pse kjo zgjedhje në këtë moment dhe nëse ka munguar deri tani kjo në profilin e tij publik, Basha mes të qeshurave thotë se meritën për gjithë këtë e ka e shoqja e tij Aurela.
Basha: E vërteta është që unë, të paktën në krahasim me politikanët në terësi por edhe politikanët në Shqipëri, jam më i rezervuar sa i përket jetës time private, ndërsa për ndryshimin ju si media që tregoni kaq shumë interes nuk duhet të më falenderoni mua por duhet të falenderoni time shoqe, të paktën deri tani.
Vetëm pak ditë më parë një video e postuar në instagramin e bashkëshortes së kryeopozitarit, Aurela Basha, ku ai shfaqej duke gatuar në kuzhinë, u bë virale në rrjete sociale.
LEXO: Kryedemokrati Basha si kurrë më parë, shfaqet duke gatuar për familjen
Ky moment nuk i shpëtoi as kreut të qeverisë Edi Rama, i cili gjatë konferencës së sotme për mediat ironizoi duke thënë se është për tu admiruar një njeri që gatuan me këpucë të shtunën mbrëma.
Rama: Për sa i përket për Lulin, për familjen, nuk dua të bëj koment. Po me që ti e kërkon është për t’u admiruar një njeri që gatuan me këpucë. Dhe gatuan me këpucë të shtunën mbrëma, se kjo bën diferencën.
Intervista me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti Besjana Kuçana