Dy botë/ Kthehet nga Italia t'i shërbejë nënës: Atje s'kam paguar kokërr leku, këtu i blejmë të gjitha vetë
Pjesa më e madhe e pacientëve janë kuruar në shtëpi, disa nga frika e spitaleve e të tjerë për shkak të gjendjes së lehtë të sëmundjes.
Qytetarët vijojnë të ankohen për shpenzimet e shumta për ilaçet, ndërsa disa prej tyre thonë se nuk kanë përfituar rimbursim.
“E mbajtëm disa ditë në shtëpi se kështu na thanë, kështu bëmë dhe ja ku përfundoi. Çfarë rimbursimi? Në farmaci i marrim me lekët tona. Në shtëpi e kam mbaruar 4-5 ditë. I blemë të gjitha, oksigjenin dhe prapë nuk u bë mirë.
Ilaçet i kam blerë mbi 300 mijë lekë dhe i kam në shtëpi akoma."
"Kam harxhuar 680 mijë lekë të vjetra. Fare, asnjë rimbursim ”
I kthyer nga Italia për ti shërbyer të ëmës, një zotëri tregon se atje nuk ka shpenzuar asgjë për ilaçet.
“Ilaçet të gjitha me rimbursim, nuk kam paguar asnjë kokërr leku. Edhe spitalit nuk i kam paguar asgjë, i kam bërë të gjitha falas. Në shtëpi kanë sjellë ndihma, për të ngrënë, për fëmijët.”
3 muaj nga periudha kur nisi rimbursimi i ilaçeve Covid në banesë, kanë përfituar 8000 pacientë, ndërkohë për të njëjtën periudhë nga shifrat zyrtare rezulton se janë infektuar rreth 56 mijë qytetarë.
Ilaçet mund të rimbursohen për fazën e lehtë dhe të moderuar të Covid vetëm kur ato jepen me recetë nga mjeku i familjes.
Sipas farmacistëve, procesi i rimbursimit të ilaçeve ka vijuar normalisht, por numri i atyre që paraqiten me recetë nga mjeku i familjes është i ulët.
Ata thonë se këto raste të pakta lidhen me faktin se pacientët i drejtohen mjekëve specialist më së shumti e jo atyre të familjes.