A është Presidenca çmimi i Nanos? Rama: E kam aset dhe pikë referimi. Ironizon videon e Bashës

Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar se me ish-kreun e PS, Fatos Nanon ka një marrëdhënie të afërt, ku ky i fundit e këshillon shumë për vendimet që merr.

Rama ka thënë se në majë je vetëm dhe vetëm dikush që ka qenë në këtë rol arrin ta kuptojë.

Rama: E di çmimin tim? Se i bie që të jem edhe unë pjesë e këtij eksperimenti që të ka dalë ty me konkluzionin që të gjithë  kanë një çmim. Unë nuk kam asnjë çmim, dhe jo të gjithë kanë një çmim. Politikanët nuk janë njësoj.

Unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie shumë të bukur, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve.

Ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të dorëhiqet pas një fushatë elektorale. Për mua është një pikë referimi duke qenë se ka qenë këtu ku jam unë. I zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme nga çdo aktor në tavolinën e shahut, ka gjithë eksperiencën dhe opinionet e duhura kur ia kërkon.

Jam unë që kërkoj opinionet e tij, nuk është ai që ofron opinione kur nuk ia kërkoj. Diferenca në këtë rast është se nuk ka pasur një paraardhës me eksperiencën dhe talentet e duhura për të ndihmuar pasardhësin.

Unë e kam dhe është një aset, një fat dhe kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me paraardhësit.

Sepse vetëm kush ka qenë këtu e di se çfarë është vetmia e majës. Të gjitha ata që nuk e kanë jetuar majën, kujtojnë se në majë bëhet qejf, mbretërohet dhe çdo gjë shkon fjollë dhe kundrohet jeta.

Në majë je vetëm dhe erërat fryjnë nga 4 anët, kur do marrësh vendimet kyçe, të gjithë të tjerët rreth e rrotull nuk ekzistojnë. Jo se nuk duan, ata aty janë, por në fund je vetëm ti që duhet të marrësh vendimin.

Sakaq kreu i qeverisë ka thënë se nuk ka koment për videon e kryedemokratit Basha teksa gatuan në kuzhinë, por ka shtuar se dikush që gatuan me këpucë të shtunën është për t’u admiruar.

"Përsa i përket pyetjes për Lulin, nuk dua të jap koment. Por mendoj që është për t’u admiruar dikush që gatuan me këpucë të shtunën mbrëma. Se kjo bën diferencë."

https://youtu.be/1IM9sdf8FQs