Vuloset vetingu, Strasburgu rrëzon padinë e gjyqtares Altina Xhoxhaj

Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e parë për procesin e Vettingut në Shqipëri. Gjykata ka rrëzuar padinë e ish-gjyqtares së Kushtetueses Altina Xhoxhaj, për shkarkimin e saj.

Altina Xhoxhaj, ish gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese u shkarkua nga detyra në 3 maj 2018. Sipas KPK, Xhoxhaj nuk justifikoi dot pasurinë e saj. Vendimi për largimin e Xhoxhajt u mbështet edhe nga KPA, gjë që solli largimin e gjyqtares nga sistemi i drejtësisë.

Në vendimin e arsyetuar të Strasburgut, ndërsa vlerësohet se organet e Vettingut janë krijuar në mënyrë të ligjshme thuhet se  Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi: me shumicë votash se nuk kishte shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të Vettingut. Po ashtu është rrëzuar edhe ankesa e gjyqtares për parregullsi të procedurave, apo edhe për mos mbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit.

Po me shumicë votash Strasburgu del në përfundimin se nuk është cenuar as parimi I sigurisë juridike dhe as jeta private e familjare. Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore është në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Ish-Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një apartament, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.

Xhoxhaj, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese ka qenë  një nga votat “pro” Vettingut, ne kohen kur kjo gjykate shqyrtoi ankesën e PD-se për ligjin e Vettingut me 22 dhjetor 2016

Në gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, janë edhe 20 ankesa gjyqtarësh dhe prokurorësh të shkarkuar nga Vettingu, ndërsa vendimi për Xhoxhajn është i pari i këtij lloji.