I skeduari nga policia i shpëton atentatit në Kamëz, aktivizoi eksplozivin kur shtypi pultin e X5
Pesë muaj nga shpërthimi në zonën e njohur si Tirana e re, një tjetër atentat me minë të telekomanduar është shënuar këtë herë në Kamez.
Makina e Gjon Menës i njohur dhe me emrin Altin Xhuxha, ka shpërthyer menjëherë sapo ai ka shtypur pultin për të hapur automjetin.
Lënda plasëse ishte vendosur tek pjesa e përparme e makinës, ndërsa 35-vjeçari ka marrë dëmtime në këmbë.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar mjeti tip BMVV X5 si dhe kjo makinë e cila ndodhej e parkuar aty pranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë grupi hetimor së bashku me ekspertët antieksploziv të repartit RENEA. Pasi kanë mbledhur provat materiale kanë nisur këqyrjen e tyre për të zbuluar personat përgjegjës.
Një kamera sigurie konsiderohet kyçe për hetuesit për të saktësuar nëse lënda plasëse është vendosur në vendin që shpërtheu makina apo diku tjetër.
35 vjeçari Mena rezulton person me rekorde kriminale, i dënuar në Shqipëri për armëmbajtje pa leje si dhe i dyshuar për vjedhje me dhunë në Itali e Francë. Hetuesit janë fokusuar tek kjo pistë por nuk përjashtohet dhe ndonjë konflikt i mundshëm.