“Do ketë shtrëngim të masave”, Rama jep njoftimin: Do të rishikohen gjobat për lokalet dhe partitë

Rritja e numrit të të infektuarve me covid ditët e fundit ka detyruar Komitetin teknik të shtrëngojë masat për të frenuar situatën e pandemisë. Lajmin e dha Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët, ndërsa të mërkurën ekspertët do shpjegojnë detajet.

"Komiteti Teknik mblidhet nesër, ata po diskutojmë. I kemi dëgjuar, janë të shqetësuar. Do ketë një shtrëngim të masave. Ata insistojnë se duhen zbatuar masat që janë. Nëse njerëzit venë maskë, ora policore, subjektet zbatojnë protokollet. Mund të shtojmë masa të tjera", ka thënë Rama.

Nga masat shtrënguese do të preken më së shumti politikanët të cilët po bëjnë fushatë elektorale duke shkelur protokollet e vendosura nga ekspertët.

Edhe pse në fotot në rrjetet sociale shfaqen si socialistët dhe demokratët në takime me sallat plot, Rama ka parë më tepër ato të kampit opozitar.

"Në mënyrë të përsëritur kam dhënë porosi për të gjithë strukturat dhe kandidatët për deputetë ti përmbahen rregullit dhe të mos kenë asnjë shkelje kam parë që shkeljet janë transversale. Të gjithë i bëjnë nga presidenti tek PD e ndërmarrja e gruas së presidentit, tek PS e të tjerë akoma. Nesër do të presim konkluzionet e Komitetit Teknik të Ekspertëve e bashkë me adoptimin çfarëdo sugjerojë komiteti dhe rishikimin e gjobave për lokalet do të shikojmë dhe sanksionet për partitë, pa asnjë përjashtim. 

Çdo lloj denoncimi nga çdo lloj takimi do të ndëshkohen, do ndëshkohen me gjobë personalisht ata që bëjnë takime, qofshin ministra, deputetë, opozitarë rrugorë, presidenti a kushdoqoftë. Unë personalisht jam shumë strikt dhe nuk ka pse të mos e zbatosh."

Rama dhe Manastirliu premtuan se do të reformojnë spitalet duke u dhënë atyre autonomi. Mjekët do të paguhen në bazë të performancës së tyre, të paktën ky sistem do të pilotohet në spitalin e Fierit që do të ndërtohet nga Ruçi.

Arrestimin e 3 infermierëve dhe 1 sanitare në spitalin e “Shefqet Ndroqit”, Kryeministri Rama e ka cilësuar si një mesazh për të gjithë bluzat e bardha. Ndërsa i ftoi qytetarët që të denoncojnë rastet e ngjashme personalisht në numrin e tij.

https://youtu.be/1IM9sdf8FQs