Programi i PD/ Teliti: Shqipëria, vendi kryesor për thithjen e investimeve të huaja

Në një lidhje me Skype për Ora News, shefi i Kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti ka dhënë detaje lidhur me programin qeverisës të prezantuar deri më tani nga selia blu.

Sipas ekspertit të PD, qëllimi parësor i programit është dhënia përgjigje sfidave akute që po kalon sot ekonomia dhe gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare

“Qëllimi i programit tonë, i angazhimeve që kemi prezantuar, që kryetari Lulzim Basha dhe PD ka prezantuar për qytetarët shqiptarë është një dhe vetëm një: ti japim përgjigje sfidave akute që po kalon sot ekonomia dhe gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare. Nuk ka filluar vetëm sot prezantimi i programit. Kemi pothuajse dy javë që kemi filluar me kolonat kryesore të programit ekonomik. Kemi vazhduar me arsimin, me shëndetësinë, me rininë dhe sot prezantuam këndvështrimin tonë, angazhimet tona sa i përket aspektit social. Është e domosdoshme të theksohet fakti që, si pasojë e keqqeverisjes gjatë këtyre 8 viteve problematikat social-ekonomike thjesht janë thelluar akoma dhe më tepër", tha ndër të tjera Teliti.

Sa i përket programit ekonomik, Teliti u shpreh se PD synon ta bëjë Shqipërinë vendin kryesor në rajon për thithjen e investimeve të huaja.

“Do të synojmë ta kthejmë Shqipërinë në vendin kryesor për thithjen e investimeve të huaja. Jo siç jemi sot, vendi i fundit në rajon. Por ti kthehemi viteve të lavdishme të këtu e 10-12 viteve më parë ku investitorët zgjidhnin përpara Shqipërinë se vendet e rajonit. Duke rritur, përmirësuar klimën e të bërit biznes, duke i dhënë mesazhin e qartë dhe besimin njerëzve, që vetëm përmes aftësive të tyre menaxheriale dhe profesionale fati i tyre mund të jetë i suksesshëm ose jo. Fati i tyre nuk do varet më nga qeveria apom zyrtarët e administratës publike. Ne do të mund të rikthejmë  normat e rritjes ekonomike me të paktën 5.5% në vit. Ajo që ne parashikojmë nuk është 300 mijë vende pune. Nuk e realizojmë dot, jo se nuk duam. Jemi angazhuar për 110 mijë vende pune. Rritje ekonomike. Ulje e ndjeshme e informalitetit, hapja e 110 mijë vendeve të punës. Paratë do të shkojnë atje ku duhen", u shpreh Dorian Teliti.

Matilda Mcini: 110 mijë vendet e punës në çfarë sektori synoni ti hapni?

Dorian Teliti: Sektori i prodhimit, sektori i turizmit, sektori i shërbimeve. Dhe këto 110 mijë vende pune nuk kemi përfshirë sektorin bujqësor. Pra, sektori bujqësor vijon punën e tij. Ne do të synojmë ta subvencionojmë fermerin shqiptar me 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta në mënyrë që ai të jetë i suksesshëm dhe mos hedhi domaten, qumështin në rrugë.