Kosova përshëndet letrën e Joe Biden
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i kërkoi të premten homologut të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të përmbyllë marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke.
Propozimin e përshëndetën sakaq aktorët kryesorë politikë në Prishtinë.
Kryeministri dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, Avdullah Hoti, tha se me qëndrimin e saj, SHBA-ja tregoi se e ka Kosovën prioritetin e axhendës së vet të jashtme.
“Sot ështe një letër tjetër e presidentit të ShBA-ve që e vulosi këtë miqësi. Besoj se jemi të bekuar si qytetarë me këto miqësi që kemi....ku o normalizojmë plotësisht marrëdhëniet me fqinjë tanë, me kulturën tonë të qeverisjes tanë që e kemi si LDK. Këtë na bënë të qartë edhe miqtë tanë ndërkombëtar sepse paralajmëruan përmbylljen e këtij problemi se sa dekada me të cilën përballemi. Për të cilin ne e kemi drejtuar qartë në procesin e dialogut. Unë kam shpresë që për disa muaj do mbyllim këtë kapitull të rëndësishëm të shtetëndërtmit të Kosovës dhe do të rrugëtojmë tutje në integrimin euro-antlantike.”
Kryetari në detyrë i PDK-së dhe kandidati për kryeministrinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, e konsideroi propozimin e Bajdenit, zhvillim të rëndësishëm për rajonin.
“Faleminderit Joe Biden. Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e vet të integrimit europian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet.”
Në rrethanat e fushatës elektorale, nga Nisma Socialdemokrate, kryetari Fatmir Limaj kërkoi zotimin e lidershipit të ardhshëm që ta gjykojë drejt marrëveshjen me Serbinë.
"...të luftojnë për interesin tonë nacional në luftën diplomatike që po na pret. Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit," shkroi Limaj.
Ndërsa kryediplomatja, Meliza Haradinaj-Stublla, e vlerësoi mesazhin e presidentit Biden, arritje.
“Pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-ve si aktor kryesor dhe administratën e presidentit Biden do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve.”
Presidenti Vuçiç, ndërkaq, u shpreh të dielën se propozimin amerikan për njohjen e Kosovës iu bë edhe vitin e shkuar, por si atëherë, edhe sot, Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim.
Lexo edhe:
E bujshme/Biden i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës