Gjukanoviç akuza Beogradit për "Serbinë e Madhe": Në Nikshiq po përgatitet "beteja e Kosovës"
Mali i Zi dhe presidenti i saj, Milo Gjukanoviç, i druhen përfshirjes së vendit në skenarin e Serbisë së Madhe. Ideja e botës serbe në Ballkan po zhvillohet nga brenda politikës malazeze, thotë Gjukanoviç.
Serbia po zhvillon një luftë hibride në Malin e Zi, duke përdorur politikën, diplomacinë, lajmet e rreme, me qëllimin final për ta bërë vendin pjesë të vetën.
Këto akuza vijnë nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.
Në një intervistë për gazetën vendëse, "Pobjeda", ai tha të premten se projekti serb mund të nisë të marrë jetë që muajin e ardhshëm me zgjedhjet lokale në bashkinë Nikshiq.
"Në Nikshiq po përgatitet 'Beteja e Kosovës'. Beogradi e ka pranuar interesin e madh kombëtar të Serbisë te këto zgjedhje: për ta paraqitur Malin e Zi si shtet me identitet serb. Pastaj do të çliroheshin nga 'shqiptari i ndershëm' dhe do të formonin një qeveri vërtet serbe."
Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviç e humbi pushtetin vitin e kaluar pas tri dekadave, duke ia dorëzuar mandatin Frontit Demokratik me aleatët.
Shqiptaro-malazezi Dritan Abazoviç, që Gjukanoviç e quan 'shqiptari i ndershëm', ishte faktor në formimin e qeverisë pro-serbe me partinë e tij "Ura".
"Qytetarët që e votuan e dinin se do i bashkonte votat me lëvizjen për Serbinë e Madhe, që si qëllim ka shkatërrimin e Malit të Zi të pavarur, civil dhe europian. Diagnoza politike e URA-s është kjo: ata kanë më shumë urrejtje për PDS-në sesa dashuri për Malin e Zi."
Presidenti malazez akuzoi Beogradin zyrtar dhe homologun Aleksandër Vuçiç se vazhdimisht prodhojnë raporte të tendosura në rajon, reminishencë kjo që nga koha e Slobodan Milosheviçit.
"Nuk është mirë që Serbia përsërit gabimet e 1990-ës. Në vitet '90, ky shpirt doli nga shishja dhe iu hodh kroatëve, boshnjakëve, më vonë shqiptarëve, dhe tani, është radha e malazezëve. Ne e dimë si përfundojnë këto: si gjenocid dhe në Hagë."
Presidenti Gjukanoviç mendon se ideja e Serbisë së Madhe do e ndryshonte karakterin multietnik, shekullar, proeuropian dhe pro-NATO të vendit, dhe do e bënte atë këndin e tretë të trekëndëshit Serbi-Bosnjë Hercegovinë-Podgoricë.