Kosova në fushatë, rishikimi i gjithë vendimeve të qeverisë, Hoti: Kurti s’vjen në pushtet
Kosova shkon drejt kutive të votimit në 14 shkurt. Albin Kurti ka deklaruar se sa të vijë ai në pushtet do t’i rishohë të gjitha vendimet e qeverisë Hoti.
Por për kryeministrin në detyrë, Kurtit nuk do t’i vijë asnjëherë shansi të marrë pushtetin.
"Është veç fiksim i tij, nuk ka për t’i ardh shansa asnjëherë atij për të marrë pushtetin, njëherë ja kemi dhënë pushtetin për 52 ditë e dy herë e ka shkelë Kushtetutën. Vendimet që i kam marrë unë, s’ka kush që i konteston. Tash imagjino nëse mund të kontestohet marrëveshja e Uashingtonit, apo vendimet për rend e ligj, apo ato për parimet e dialogut. Pra të gjitha këto janë parulla për fushatë.”
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka komentuar deklaratën e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili tha se nëse emërohet në krye të qeverisë do të shqyrtojë të gjitha vendimet e qeverisë “Hoti”.
Sipas Hotit, Albin Kurtit nuk do t’i vijë asnjëherë shansi të marrë pushtetin.
Këtë të premte, kreu i Vetëvendosjes ka qenë në Obliqsë bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.
Ndërkohë, Kryetari i PDK-së, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Forumit Botëror Ekonomik, Borge Brende, me të cilin ka biseduar rreth planit të PDK-së për Rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.