E bujshme/Biden i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës

Presidenti amerikan, Bajden, doli në anën e Kosovës gjatë periudhës së luftës me Serbinë, ndërsa tani i ka kërkuar Beogradit të hedhë hapin tjetër, të njohë pavarësinë e shtetit kosovar.

Amerika ka rikonfirmuar se qëndron krah Kosovës në ballafaqimin e saj me Serbinë.

Presidenti i ri amerikan, Xho Bajden, i kërkoi homologut të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të vijojë përpjekjet për marrëveshjen me Prishtinën dhe për njohjen zyrtare të saj.

Mesazhin shefi i Shtëpisë së Bardhë e dërgoi me letër, me rastin e Ditës Kombëtare që Serbia feston më 15 shkurt.

"Teksa kujtojmë 140 vite partneritet mes dy vendeve tona, e mbështetim pa lëkundje qëllimin e Serbisë për integrimin europian, si edhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, të përqendruar te njohja reciproke."

Presidenti amerikan është deklaruar më parë se njohjen e ndërsjellë ai shpreson të arrihet duke e ruajtur integritetin territorial të Kosovës, pa shkëmbyer trojet.

Në Prishtinë, deklaratën e përshëndeti i pari ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, tani kandidat i PDK-së për kryeministrinë e Kosovës.

"Edhe një herë faleminderit, Xho Bajden. Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e integrimit europian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet," shkroi Hoxhaj në Twitter.

4 shtatorin e kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan dy dokumente në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e raporteve ekonomike.

Dialogu mes palëve është lënë të vazhdohet në zyrat e Brukselit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

LEXO EDHE

Vuçiç i përgjigjet presidentit Biden: Në Uashington kam treguar çfarë mendoj për njohjen e Kosovës